Titull:
Përcaktimi i modelit të armës nga shenjat në gëzhojat e fishekëve me anë të rrjeteve nervore konvolucionale (CNN)
Permbajtje:
Ekspertët e Grupit të Punës për Armë zjarri/GSR të ENFSI-t kanë zhvilluar një metodë objektive për përcaktimin e tipit dhe modelit të armës së zjarrit, mbi bazën e karakteristikave të klasës që shfaqen në pjesën e pasme (headstamp) të gëzhojave të fishekëve të qëlluar. Përcaktimi tradicional kërkon kohë, burime dhe baza të dhënash të përditësuara, dhe mbetet subjektiv për nga natyra.
Për qëllimin e studimit u mblodh një bazë të dhënash me 30 930 imazhe të 4 291 armëve, nga sisteme të ndryshme automatike të identifikimit balistik (EvoFinder, IBIS, BalScan), të ndara në 37 klasa. U trajnuan dhe u vlerësuan tetë arkitektura CNN: Xception, InceptionV3, InceptionResNetV2, ResNet50, DenseNet121, ConvNeXtTiny, ResNet101V2 dhe EfficientNetV2S.
Modelet treguan performancë të ngjashme: saktësia Top-1 ishte rreth 0.60–0.65 dhe Top-3 rreth 0.78–0.82. Kur u aplikuan rregulla pranimi sipas domenit, që marrin parasysh ngjashmëritë mes klasave, saktësia u rrit në rreth 0.69–0.73 (Top-1) dhe 0.90–0.925 (Top-3). Kombinimi i modeleve në ansambël dha një përmirësim të moderuar, me saktësinë më të mirë Top-3 sipas domenit prej 0.9335.
Si rezultat i hulumtimit, u zhvillua një aplikacion web me qasje të lirë (HuggingFace) për analizën e imazheve dhe përcaktimin e klasave të mundshme të armëve.
Ekipi i projektit përfshin ekspertë nga Izraeli, Zvicra, Gjermania, Franca, Lituania dhe Kosova (Eksperti Qendrim Topalli në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë). Puna e mëtejshme synon mbledhjen e më shumë të dhënave, zhvillimin e modelit me shumë etiketa, rishikimin e etiketimit të imazheve, rritjen e saktësisë dhe zhvillimin e softuerit të ri, përfshirë një version të pavarur (stand-alone).
Karakteristikat e klasës në shenjat e nxjerrësit (ejector) në automatikun shqiptar ASH-78 Tip-1 (AK-47 shqiptar)
Agjencia e Kosovës për Forenzikë disponon një dosje të hapur me mbi dy mijë raste të kalibrave të ndryshëm, ku kalibri më i shpeshtë është 7.62x39mm. Gjatë punës ditore, ekzaminuesit vunë re shenja të veçanta të nxjerrësit në gëzhoja të këtij kalibri nga vendngjarjet, të cilat u vërejtën edhe në disa automatikë shqiptarë AK-47 të ekzaminuar, por jo në të gjithë.
Meqenëse viti i prodhimit të AK-47 shqiptar shënohet me dy shifrat e fundit të numrit serik, u krye një krahasim statistikor për armët e prodhuara nga viti 1983 deri në 1988. Rezultatet tregojnë se modeli i veçantë i shenjave të nxjerrësit nuk u gjet në armët e prodhuara në vitet 1983 (40 armë) dhe 1984 (37 armë), u gjet vetëm në një nga 23 armët e vitit 1985, në 34 nga 45 armët e vitit 1986 (me numra serikë nga 030…-86 deri në 034…-86), në 29 nga 78 armët e vitit 1987 (me numra serikë nga 038…-87 deri në 045…-87), dhe vetëm në një nga 34 armët e vitit 1988.
Përqindja më e lartë e këtij modeli gjendet pra te armët e prodhuara në vitin 1986, me rënie në vitin pasues dhe minimum në vitin 1988. Meqenëse AK-47 përdoret shpesh edhe në sulme terroriste, hulumtimi synon t’u ndihmojë ekspertëve të tjerë që të mos nxjerrin përfundime të gabuara.
Të dhënat statistikore janë marrë nga rastet e ekzaminuara në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë dhe nga sistemi IBIS (në përdorim që nga fundi i vitit 2010), si dhe nga dosja e hapur e rasteve.
Autori: Qëndrim Topalli, Specialist i Lartë në Divizionin e Balistikës, Agjencia e Kosovës për Forenzikë