HISTORIKU

Në të  kaluarën, shkenca e forenzikës në Kosovë nuk kishte shënuar ndonjë zhvillim të dukshëm. Pas lufte, gjatë viteve 2000-2005 forenzika ishte konsoliduar në kuadër të administratës së UNMIK-ut, e organizuar në nivel qendror dhe lokal, kryesisht e udhëhequr nga policia e UNMIK-ut. Njësia e Forenzikës e policisë së UNMIK-ut përbëhej nga njësia për këqyrjen e vendit të ngjarjes, njësia e daktiloskopisë, njësia e balistikës, njësia e dokumenteve kontestuese dhe njësia kimiko-biologjike. Të gjitha këto njësi përbëheshin nga personeli i ndryshëm ndërkombëtar, kryesisht nga SHBA, Rusia, Turqia, Bullgaria etj. Njësia e Forenzikës kishte edhe njësitë rajonale në kuadër të komandave rajonale policore, të cilët kryenin këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa provat fizike për ekspertizë dërgoheshin në njësinë e Forenzikës së shtabit qendrorë të policisë së UNMIK-ut. Llojet e ekspertizave që kryheshin në atë kohë ishin ekspertiza e dokumenteve, ekspertiza e gjurmëve të gishtërinjve dhe ekspertiza balistike. Provat fizike për analizë kimiko-biologjike të ADN-së dhe drogave dërgoheshin në institutin e forenzikës të Bullgarisë në Sofje.

Qeveria Amerikane, duke parë të rëndësishme përkrahjen e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve forenzike në luftimin dhe parandalimin e krimit, vendosi që përmes ICITAP-it të investojë në Kosovë një shumë të konsiderueshme mjetesh për ndërtimin e një laboratori modern të Forenzikës. Kështu në Tetor, 2003 Qeveria Amerikane-ICITAP-i vendosi gur themelin e objektit të Laboratorit të Forenzikës. Ky vit, padyshim, konsiderohet viti i themelimit të forenzikës në Kosovë. “Viti 2003, është simbolizurar edhe në emblemën e AKF-së që nënkupton vitin e themelimit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë” (Udhëzimi Administrativ nr. 40/2012-MPB për stemën identifikuese të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë:. Ndërsa gjatë viteve 2005-2007 laboratori i forenzikës nën udhëheqjen e përbashkët të ICITAP dhe të Policisë së Kosovës kalon një etapë të rëndësishme të zhvillimit. Gjatë kësaj kohe ndër zhvillimet më të rëndësishme konsiderohet zhvillimi i metodave shkencore forenzike për ekspertizë të drogave, analizë të ADN -së, ekzaminim të dokumenteve, ekzaminim balistik, ekzaminim të gjurmëve të gishtërinjve, krijimi i sistemit për sigurim të cilësisë dhe trajnimi i personelit brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2005 fillon të funksionojë laboratori i forenzikës në kuadër të Policisë së Kosovës. Disiplina e parë që filloj me ekspertizë ishte ekspertiza e drogave. Ky vit konsiderohet jo vetëm viti i fillimit të ekspertizave forenzike bashkohore, por njëherit edhe viti i fillimit të  zhvillimit të shkencës moderne të forenzikës në Kosovë.

Pranim-dorëzimi zyrtar i laboratorit të forenzikës nga ambasada Amerikane-ICITAP-i u bë më datë 05.07.2008. Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tina Kajdanova, në mënyrë solemne ia dorëzoi çelësat ish-ministrit të Punëve të Brendshme z. Zenun Pajaziti, përkatësisht ish-drejtorit të Laboratorit të Forenzikës, Nënkolonel Policor z. Blerim Olluri. Nga kjo datë Laboratori i Forenzikës pavarësohet dhe udhëhiqet nga ekspertë vendorë.

Në vitin 2010 Forenzika e Kosovës pësojë një ndryshim thelbësorë.  Laboratori i Forenzikës i Policisë me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme z. Bajram Rexhepi u shndërrua  në Agjenci të pavarur ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në maj të vitit 2010 pas trajnimeve të nevojshme profesionale dhe përgatitjes se stafit adekuat është berë inaugurimi Laboratorit të Traseologjisë i cili përfshinë ekzaminimin e gjurmëve të veglave , këpucëve dhe gomave.

Në vitin 2010 është pranuar sistemi automatik për identifikimin e gëzhojave dhe plumbave – IBIS( Integrated Ballistic Identification System) i dhuruar nga Komisioni Europian .

Gjatë vitit 2011 grupi punues në kuadër të MPB-së hartoi projekt-ligjin për Agjencinë e Kosovës për Forenzikë. Ligji i cili pas miratimit nga Parlamenti dhe dekretimi nga Presidenti i Kosovës hynë në fuqi më datë 28.11.2011. Ky vit pa dyshim konsiderohet viti i fillimit dhe vendosjes së infrastrukturës ligjore për forenzikën e Kosovës.

Ne vitin 2012 është bërë harmonizimi i procedurave teknike dhe manualit te cilësisë dhe sigurisë konform standartit ndërkombëtar ISO:17025.

Ne vitin 2013 është pranuar databaza për identifikimin dhe krahasimin e profileve te ADN-së –CODIS –(Combined DNA Identification System). Ky sistem është dhuruar nga Ambasada amerikane në Kosovë dhe është implementuar përmes FBI-së.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë në Janar të vitit 2013 anëtarësohet në asociacionin ndërkombëtarë të instituteve të forenzikës (IAFI), me të drejtë të barabartë. Në këtë organizatë momentalisht janë të anëtarësuara 36 shtete nga Evropa, Azia, Amerika dhe Afrika[1].

Në vitin 2015 Agjencia e Kosovës për Forenzikë akrediton pesë laboratorët e saj ne fushën e ADN-së/Serologjisë, Kimisë/drogave, daktiloskopisë dhe traseologjisë, balistikës dhe Dokumente dhe dorëshkrime, ndërsa është në proces edhe të akreditimit të laboratorëve tjera si: Laboratori për eksplozivë dhe zjarrvënje, ekzaminim të  kompjuterëve etj. Poashtu këtë vit fillon edhe ndërtimi i Aneks objektit të AKF-së me afërsisht 4000m/2 i cili parashihet të hyj në funksion në vitin 2017.

Agjencia e Kosovës për forenzikë sot kryen ekspertime balistike (armët e zjarrit), ekspertime të numrave identifikues të automjeteve, ekspertime daktiloskopike, ekspertime traseologjike, ekspertime të dokumenteve, ekspertime grafologjike të nënshkrimeve dhe dorëshkrimeve, analiza të AND-së, ekspertiza të substancave narkotike, ekzaminim të kompjuterëve dhe telefonave celularë, asistencë në shikimin dhe rikonstruimin e vendit të ngjarjes për krime të rënda, procesim, përgatitje dhe dërgim-pranim të dëshmive për ekspertizë jashtë vendit, koordinim dhe bashkëpunim me laboratore vendore dhe ndërkombëtare, informata operative njësive hetimore, dëshminë në gjykatë në cilësinë e ekspertit.

Me përkrahjen e Qeverise se Kosovës, Qeverise Amerikane dhe donatoreve të ndryshëm evropian, angazhimin e menaxhmentit dhe personelit  Agjencia e Kosovës për forenzikë sot konsiderohet një nga Institucionet me të avancuara dhe me të besueshme jo vetëm në vendin tonë por edhe në Rajon.


[1] Dr.Blerim Olluri- Punimi I doktoratures – Shkenca e forenzikes dhe roli i sajë në procedurë penale-një vështrim i posaçëm mbi praktikat dhe veçantitë e saj në Kosovë,2016 Tiranë

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors