Ekspertet e Divizionit (Laboratorit) për Analiza Kimike të Narkotikeve: Shyhrete Tahiri dhe Sami Mavriqi, ju nënshtruan testit të aftësive profesionale “Seized Materials (SM) 2023; Round 1” nga UNODC (United Nations Office on Drugs and Crime) që është një lider global në luftën kundër drogave të paligjshme dhe krimit ndërkombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e Programit Ndërkombëtar të Sigurimit të Cilësisë (IQAP) të UNODC-së janë edhe Ushtrimet Bashkëpunuese Ndërkombëtare (ICE), përmes te cilit program organizohen dhe koordinohen edhe teste te zotësisë, përmes te cilave synohet të ndihmohen laboratorët e testimit të drogave në mbarë botën në vlerësimin e performancës së tyre dhe marrjen e veprimeve korrigjuese, kur është e nevojshme. Pjesë e këtij programi është edhe Kosova gjegjësisht Divizioni (Laboratori) për Analiza Kimike të Narkotikeve në kuadër te Agjencisë se Kosovës për Forenzikë.
Në këtë test, ekspertët i kanë analizuar, identifikuar dhe raportuar rezultatet e mostrave te pranuara sipas procedurave dhe metodave të validuara dhe të akredituara sipas ISO 17025, që zbatohen në Divizionin për Analiza Kimike të Narkotikeve dhe kanë fituar rezultate në përputhshmëri të plotë me ato të Laboratorit dhe Shërbimeve Forenzike nga UNODC.
Vlen të theksohet se, qëllimi kryesor i testit të aftësive profesionale është vlerësimi i përformancës së ekspertëve, procedurave dhe metodave të laboratorit për kryerjen e ekspertimeve forenzike, që sipas rezultateve të arritura nga ekspertet është në nivelin më të lartë.